Universi i një realiteti artistik
me emrin Çamëri
(Letër e hapur, mikut tim,
shkrimtarit Shefki Hysa)
Po e nis këtë këmbim e-mailesh, i nderuar Shefki Hysa, për të dhënë përshtypjet e mia rreth librave të tu, mes shokësh, miqsh e patriotësh...
Po marr shkas nga leximi së fundmi i tregimit brilant “Elimët” (Gjigandët e Lashtë të Eposit Çam) dhe librit me përmbledhje publicistike “Diplomacia e vetëmohimit” (Zhvillime të çështjes çame).
Pothuajse e gjitha krijimtaria jote më ka lënë pa fjalë dhe më ka kënaqur pamasë. Vetëm tani e besoj Kadarenë kur shprehej për ty dikur: “Një djalë që shkruan ndryshe”...
Meqenëse qenia njerëzore, siç thoshte Kanti, është e vetmja që transmeton vetveten, një prej aspiratave të saj është të kërkojë arketipa, referentë, shembuj prej të cilëve të mund të arrijmë në të gjitha sferat ku realizojmë esencën tonë. Në këtë botë të globalizuar ne jemi në mënyrë të paevitueshme qenie që kemi nevojë për zgjidhje teknike globale për problemet tona, por njëkohësisht dhe për legjitimitet dhe autoritet. Arsyeja është më se e rrokshme, kujtojmë: pavarësisht se gjendet brenda hapësirës së kufizuar të faqes së bardhë, njeriu lëvron paanësi dhe krijon personazhe dhe një botë që nuk diktohet nga Udhëheqësi i Madh...
Teksa lexoj ndër shkrimet e tua, nuk e kam aspak të vështirë të kuptoj shkrimtarin që mëton të lëvrojë një letërsi të rrallë ku liria gjen veten dhe shfaqet si streha jonë e fundit. Lëvrimi i letërsisë në suazat e lirisë është vetëuri e krijuesit për të krijuar vlera tipike që i shërbejnë si modele edukimit njerëzor.Krahas gjithë sa më sipër, sa herë është fjala për një lëvrim në një gjuhë që në suazat e historisë është shpërfaqur në mënyrë të qenësishme si element përbashkues, përnjësues dhe vetëparaqitës i një populli, atëherë, të lëvrosh letërsi normale dhe, për më tepër, një letërsi mbarëshqiptare e më gjerë, përkon, në të njëjtën kohë, me sipërmarrjen për të kristalizuar kombësinë, për t’i dhënë shtysa zhvillimit mbarëshoqëror nën dritën e gjithë elementeve përbërëse të saj, sikundërse edhe nën dritën e tjetrit, e pjesës tjetër të botës; po ashtu, kjo përkon me kontributin, përmes krijimtarisë tënde letrare, e bashkëjetesës së veçanësisë sonë me tërë qeniet e tjera njerëzore, të kulturës sonë, si krahinë, me kulturën mbarëshqiptare, të botës sonë me botën që na rrethon, ç’ka mund të ndihmojë jo pak që qytetërimi ynë të bëhet gjithnjë e më tepër qytetërim i botës së përparuar dhe bota përqark të bëhet gjithnjë e më tepër e jona.Ky është rasti i letërsisë së lëvruar nga shkrimtari Shefki Hysa dhe kjo vlen, më së tepërmi, për përmbajtjen e saj. Historinë e shkruajnë gjithnjë fitimtarët dhe, në rastin e Çamërisë që gjendet ende nën sundimin e shovinistëve të djeshëm e të sotëm, me qendrën e pushtetit shumë larg saj, kjo histori vështirë se është shkruar lirisht dhe qashtërsisht, aq më tepër kur dihet se dokumentet dhe dëshmitë e pushteteve sunduese rrallëherë mund të ndodhë të pasqyrojnë perspektivat dhe mënyrën e jetesës së të sunduarve. Nga kjo këndqasje, përgjatë kohës kur u krijua mundësia në 20 vitet e fundit, si çamët nuk u gjendën thjesht dhe vetëm përpara përgjegjësisë dhe sfidës, përballë vetes dhe botës për të shkruar historinë e tyre mbi faqet e bardha të së ardhmes; përkundrazi, dhe në të njëjtën kohë, edhe përpara përgjegjësisë dhe sfidës për ta nxjerrë në dritë dhe për ta shkruar këtë histori nga gjiri i tërë ngjarjeve dhe peripecive të historisë së saj të shkuar. Natyrisht, fjala është për një lëvrim të saj në faqet e librave të asaj historie që shpalosin përmes gjurmëve dhe dëshmive vetë ngjarjet e së shkuarës; por edhe në faqet e romaneve, leximi i të cilëve simbolizon, mishëron apo shpjegon, duke e veshur me përmasën dhe me ndjeshmërinë tonë njerëzore të sotme dhe të mbarëkohshme, një epokë apo një personazh historik. Kjo është gjithë sa i brendashkruhet pjesës dërmuese të veprave të tua, miku im Shefki.Porse, përpos zbulimit apo rebelimit ndaj historisë, zakoneve, traditave dhe miteve të një krahine si jona, a ka ndonjë gjë tjetër që e bën një vepër letrare që të shfaqet grishëse përpara syve tanë? Ndonjëherë, lidhja e saj me shpirtrat - ndaj të cilëve, sipas Platonit, jetët tona nuk janë tjetër përpos se pasqyrime të zbehta -, me thelbin e shqetësimeve, të dramave dhe të maktheve që kanë trazuar qeniet dhe shoqëritë njerëzore përtej apo përmes kohës dhe hapësirës, në fund të fundit, janë disa arsye që vetë arsyeja nuk arrin t‘i rrokë, por që letërsia ka raste që ia del mbanë. Letërsia ka raste që ia del mbanë, por jo çdo lloj letërsie; më së pari, ajo letërsi që shfaqet e aftë që t‘i hyjë udhës së mundimshme të shqetësimeve dhe të trazimeve njerëzore, të pamësive botëkuptimore dhe të miteve që shpalosin thelbin e mbarëkohshëm të qenies njerëzore dhe të përmasave kohë-hapësirë të botës që shkrimtari ngërthen në veprën e tij përmes personazheve dhe motiveve që parashtron, duke na dhënë çelësin e fshehtë që të zgjojë, përmes leximit, atë shpirt të fjetur që gjallon nga brenda nesh dhe, duke na përafruar dhe përnjësuar me vetë personazhet dhe situatat që përshkruan, na shtyn të zbulojmë se si jetët që gjallojnë imagjinatën, trazimet, përjetimet dhe ëndrrat e tij janë të njëjta me të gjithë sa gjallon brenda nesh, duke zgjuar kësisoj nga gjumi të gjithë sa gjendej e përgjumur në thellësi të qenies sonë, për të na e shpalosur të dukshmen si diçka që gjendej gjithnjë aty, përpara syve tanë, duke jetuar jetën me një shije tjetër, më të qartë dhe ngandonjëherë më të mirë; një shije të një jete më të gjallë.Nëse filozofia, siç ka thënë dikush, nuk është tjetër përpos së një grusht shënimesh në këmbët e teksteve të Platonit, në rastin e letërsisë mund të thuhet se, me fort gjasa, nuk përbëhet veçse nga një gjerdan i pafundmë rishkrimesh dhe rilevimesh të epopeve homerike dhe të tragjedive. Parë nga ky këndvështrim, vepra e shkrimtarit Shefki Hysa nuk del jashtë këtij rregulli.
Shkrimet e tua rrëfejnë, përmes një gjuhe të përditshme, porse plot me lirizëm, tragjedinë e vendit tonë, Çamërisë, i kthyer në shesh betejash të herëpashershme.
Pra, krijimtaria e Shefki Hysës është, pa dyshim, një paraqitje e qashtërt e çasteve dhe ngjarjeve më të mbamendshme të Historisë se çamëve e Çamërisë dhe të formësimit të saj ; një portretizim poetikisht i letrarizuar i ligjeve dhe dokeve që gjallojnë jetën kolektive të çameve dhe botën e tyre simbolike; një përsiatje mbi thelbin e kulturës klasike dhe një risjellje në kujtesë e rrënjëve klasike të imagjinatës kolektive dhe të kulturës së tyre dhe i mbijetesës së botës së lashtë në mitet që udhëheqin veprimtarinë dhe jetën e saj kolektive, duke përfshirë, ndërkaq, edhe sjelljen dhe përtëritjen në shkrimësi të miteve klasike me fjalë dhe me situata të reja. Porse, përpos kësaj, dhe më së pari, është portretizim i një regjimi totalitar, i mekanizmave të pushtetit totalitar për të kontrolluar trupin dhe mendjen, veprimet, ndërgjegjen dhe vullnetin e burrave dhe grave, sikundërse edhe degradimin e pashmangshëm dhe mizor të qenieve njerëzore.
Përfundimisht, i nderuar miku im Shefki, për aftësinë tënde për të krijuar, duke marrë pikënisje nga realiteti, një univers letrar tëndin që lidhet me universalen, kjo është thelbësorja e krijimtarisë që na ofron jo vetëm ne, çamëve, por tërë lexuesve pa dallim.
Na thotë Sokrati në dialogët e Platonit - apo Platoni në gojën e Sokratit - se poezia është një nga format e çmendurisë, e kapjes së reminishencave të shpirtit përpara se ky të binte: e për këtë letërsia e vërtetë na komunikon me universalen, me esencën që fshihet pas maskave dhe personave të çdo qenieje njerëzore, kohë jashtë kohe që shfaqet në faqet e librave, shkrimi apo leximi i të cilave mund të na ndihmojë për të qenë më njerëzorë, për të trashendentuar më shumë vetveten sipas përcaktimit kantian.
E për këtë të hysh e të lexosh, të udhëtosh nëpërmjet faqeve të shkruara nga shkrimtari çam Shefki Hysa, do të thotë të udhëtosh nëpër Çamëri, por edhe në vetvete dhe drejt saj. Për këtë bota jonë dhe bota përqark nesh mund të jenë një tjetër botë, shumë më afër së mrekullueshmes, pasi të kemi shëtitur sytë tanë në faqet e librave të shkruar nga Shefki Hysa.
Skënder Hasani
Durrës, më 09.01.2010
Tuesday, February 2, 2010
Subscribe to:
Posts (Atom)
